Një studim i fundit i një testi klinik në më shumë se dhjetë spitale kineze në Wuhan, epiqendra e epidemisë së Coronavirus, në Pekin e Shangai, ka analizuar efikasitetin e klorokinës, një medikamenti mjekësor i njohur në trajtimin e shumë sëmundjeve edhe për kurimin e pneumonive të ngjashme me Covid-19. Rezultatet e deritanishme të vëzhguara te mbi 100 pacientë kanë treguar se fosfati i klorokinës është më efikas se trajtimi i dhënë aktualisht, për të penguar avancimin e pneumonisë dhe për të përmirësuar gjendjen e mushkërive. Gjithashtu është vënë re se medikamenti bën që imuniteti i pacientit t’i përgjigjet fort virusit, duke shkurtuar kohën e sëmundjes.
Mjekimi me klorokinë ka filluar të përdoret që para shumë vitesh si kura kundër malaries dhe me sa duket po rezulton efikas edhe për shërimin nga Coronavirusi. Madje, lajmi është akoma më pozitiv për vetë faktin se klorokina kushton lirë dhe nuk ka efekte të dëmshme. E përdorur që prej 70 vjetësh, sipas studiuesve kinezë, për kurimin nga Coronavirus mjafton një mjekim me 500 mg klorokinë në ditë për dhjetë ditë rresht.
Kjo është konfirmuar edhe nga Didier Raoult, mjek francez dhe drejtor i Institut Mesdhetar për Infeksionet në Marsejë dhe njëkohësisht specialist i njohur i sëmundjeve infektive. Bazuar në studimin kinez ai është shprehur: “Ne dimë tashmë se klorokina ishte efikas in vitro kundër këtij koronavirusi të ri dhe vlerësimi klinik i bërë në Kinë e konfirmoi një gjë të tillë. Përfundimisht, ky infeksion është, ndoshta, më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm për t’u mjekuar se të gjitha infeksionet virusale. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm pasi ilaçi është shumë i lirë.” Edhe ministri francez i Shëndetit, Olivier Veran, ka konfirmuar se ka biseduar disa herë me mjekun Didier Raoult rreth kësaj çështjeje. “Ai më ka vënë në dijeni për vëzhgimet e tij dhe studimet ku bazohej. Unë ia kam transmetuar Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetit, e cila është duke bërë të gjitha analizat e domosdoshme. Ka rezultate interesante mbi një ndikim shumë pozitiv in vitro, por studimet mbi pacientët kanë nevojë për t’u analizuar akoma.” ka theksuar ministri Veran./Atlas/.