Ndërsa numri i njerëzve të infektuar nga virusi në Itali rritet mbi 300, kryesisht në veriun e pasur industrial, kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e tij janë duke sinjalizuar për probleme më të thella ekonomike. Rreth një e treta e prodhimit të Italisë vjen nga Lombardia dhe Veneto, dy rajonet më të goditura, që janë shtëpia e 1.1 milionë bizneseve të vogla me më pak se nëntë të punësuar.
Pas një tkurrjeje të mprehtë në fund të vitit 2019, Italia ishte drejtuar tashmë drejt një recesioni edhe para se virusi të godiste ekonominë e saj. Me financa e tendosura dhe një koalicion të ndarë, Kryeministri Giuseppe Conte ka disa mjete për të stimuluar një ekonomi që mund të ngadalësohej deri në 0.4 pikë përqindjeje nëse kriza zgjat më shumë se dy muaj, sipas analistit të biznesit Confocommercio.
Italia mund të kërkojë ndihmë nga fondi i solidaritetit të Bashkimit Evropian, në varësi të masës së dëmit ekonomik, tha Zëvendës Ministri i Financave Antonio Misiani në një intervistë për gazetën La Stampa. I pyetur në lidhje me mundësinë e një recesioni ekonomik, ai tha “Do të ketë ndikim, por varet shumë nga kohëzgjatja dhe madhësia e zonës që preket.” Nga ana tjetër Conte ka theksuar se qeveria së shpejti do të paraqesë një numër masash për të ndihmuar bizneset e dëmtuara nga shpërthimi, që nga prodhimi e deri tek turizmi.”
Për Maurizio Cattaneo, ndikimi ekonomik i shpërthimit të koronavirusit në rajonin verior të Lombardisë së Italisë u bë i qartë në mënyrë alarmante kur klientët filluan të merrnin në telefon gjatë gjithë kohës për të mbyllur kontratat me kompaninë e tij transportuese.
“Më shumë se 50% e punës sonë është anuluar vetëm në një javë dhe kam frikë se situata do të përkeqësohet”, tha 48-vjeçari, i cili drejton një kompani të vogël që transporton makineri të rënda në qytetin rajonal të Lecco, 118 kilometra nga qendra e shpërthimit në jug të Milanos. “Edhe sikur të mos ketë rrezik, tashmë është psikozë.” shtoi ai.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndërprerje të furnizimit, ndalesa të prodhimit ose klientë që heqin dorë nga operacionet e biznesit në Lombardi, bizneset si Cattaneo, që veprojnë në zemrën ekonomike të Italisë po llogaritin koston masive pas përhapjes së virusit në një vend që tashmë ishte në prag të recesionit./Atlas/