Europa i mban kufijtë hapur ndërsa virusi përhapet në disa vende anëtare, situata aktuale në botë

Disa vende evropiane kanë njoftuar rastet e tyre të parë të koronavirusit, dhe të gjitha duket se janë të lidhura me shpërthimin në rritje në Itali.

Austria, Kroacia dhe Zvicra thanë se rastet kishin të bënin me njerëz që kishin qenë në Itali, ashtu si Algjeria në Afrikë. Së fundmi edhe Spanja raportoi rastin e parë, bëhet fjalë për një grua në Barcelonë, e cila kishte qenë në veri të Italisë. Po ashtu testi i parë pozitiv rezultoi në Amerikën Latine, ku një brazilian sapo ishte kthyer nga Italia.

Ditët e fundit Italia është bërë vendi më i prekur në Europë, me më shumë se 300 raste dhe 11 vdekje.

Por pavarësisht kësaj ende nuk është vendosur për mbylljen e kufijve.

Mbyllja e kufijve do të ishte “joproporcionale dhe joefektive” kundër COVID-19, ranë dakord ministrat europianë të martën, edhe pse disa vende kanë njoftuar rastet e tyre të para të koronavirusit.

Një kontroll i mirëkoordinuar për të gjithë udhëtarët që kthehen nga zonat e rrezikut, nënvizuan ministrat e shëndetësisë nga vendet përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Ata gjithashtu ranë dakord se nuk kishte nevojë për të anuluar ngjarje të mëdha publike, por për të “vlerësuar rast pas rasti masat e duhura që duhen marrë” për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes.

Në Mbretërinë e Bashkuar, nxënësit e shkollave që janë kthyer nga pushimet në veri të Italisë po qëndrojnë në shtëpi, deri në një udhëzim të dytë.

Por Sekretari i Shëndetit, Matt Hancock tha që nuk kishte plane për të ndaluar fluturimet nga Italia, e cila tërheq rreth tre milion vizitorë britanikë çdo vit.

“Nëse e shihni Italinë, ata ndaluan të gjitha fluturimet nga Kina dhe ata tani janë vendi më i prekur në Europë”, tha ai.

Italia është një nga tre vendet më të prekura në botë, pas Kinës. Në Iran më pak se 100 persona janë prekur zyrtarisht, por shifrat mendohet të jenë edhe më të larta. Pasi rezultoi pozitiv me koronavirus edhe zëvendësministri i shëndetësisë së vendit, është thelluar frika se virusi është përhapur gjerësisht.

Më shumë se 1.100 njerëz janë infektuar në Korenë e Jugut, ku 11 persona kanë humbur jetën.

Shumica e rasteve të koronavirusit të ri mbesin në Kinë, ku virusi u shfaq që vitin e kaluar. Sipas shifrave të fundit të publikuara, 78,064 njerëz janë infektuar që prej fillimit të shpërthimit të virusit, ndërsa kanë vdekur 2,715 persona.

Në Japoni, Kryeministri Shinzo Abe u bëri thirrje organizatorëve të ngjarjeve të mëdha sportive dhe kulturore që të anulojnë ose shtyjnë ato për dy javë pas shqetësimit se koronavirusi mund të kërcënojë Lojërat Olimpike të Tokios 2020./BBC

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *