Brexit i ka lënë Europës një gropë buxheti prej 70 miliardë eurosh. Si do mbushet ajo?

Udhëheqësit evropianë janë tashmë përballë udhëkryqit të madh se sa para do të nevojiten në buxhetin e BE për shtatë vitet e ardhshme. Para disa ditësh filloi në Bruksel takimi ku liderat do të vendosnin rreth mënyrës se si do të mbushet gropa prej gati 70 miliardë eurosh që ka lënë në buxhetin e Unionit dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe duket se kjo nuk do të jetë e lehtë.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, i cili kryeson bisedimet, deri tani nuk ka arritur të bindë shtetet anëtare që propozimi i tij për një buxhet prej 1.094 trilionë eurosh (1.181 trilionë dollarë) është mënyra më e mirë për të ecur përpara.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u tha gazetarëve se nuk ka gjasa të ketë një marrëveshje dhe paralajmëroi gjithashtu se vendet anëtare me siguri do të duhet të thirren në Bruksel në mënyrë që të përfundojnë me një plan lidhur me situatën e vështirë që është krijuar.

Lufta për buxhetin e ardhshëm të BE-së është tashmë tradite në Bruksel pasi nënvizon ndarjet dhe mosmarrëveshjet e qarta brenda rajonit. Disa vende duan një buxhet më të lartë për të financuar programe si promovimi i të drejtave të njeriut dhe siguria në të gjithë BE-në, ndërsa të tjerë dëshirojnë të kontribuojnë më pak në bllok dhe për këtë arsye kanë një buxhet më të vogël. Këtë vit, bisedimet janë edhe më të vështira duke pasur parasysh largimin e Britanisë, e cila e lë bllokun me një mungesë financiare prej rreth 55 miliardë £ (71.3 miliardë dollarë) gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Ndërkohë, kryeministri i Luksemburgut i ka thënë homologëve të tij se nuk mund të harrojnë se edhe kontributi në buxhetin e BE ka përfitimet e tij. “Problemi është se shumica prej nesh … thjesht nxjerrim një makinë llogaritëse për të parë se çfarë kushton … Për vendin tim, për shembull, është 1.50 euro në ditë dhe ne nuk duhet të harrojmë se na sjell lirinë: lirinë e lëvizjes, lirinë tregtare për kompanitë … demokracinë më të madhe në botë.” tha Xavier Bettel./Atlas/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *