Stabiliteti energjetik në Kosovë, parashikohen 437 milionë euro investime

Korporata Energjetike e Kosovës në tri vitet e ardhshme ka nevojë të realizon investime të mëdha kapitale, vlera e të cilave do të arrij në rreth 437 milionë euro. Drejtuesit e Korporatës konsiderojnë se këto janë investime të domosdoshme për të garantuar siguri dhe stabilitet energjetik në Kosovë për 40 vitet e ardhshme.

Investimi më i madh kapital parashihet të bëhet në zgjerimin e minierës ekzistuese dhe hapjen e minierës së re e po ashtu edhe rehabilitimi i termocentralit “Kosovës B”.

Në Termocentralin “Kosova B” duhet të investohen rreth 270 milionë euro që do të mundësojnë ngritjen e besueshmërisë dhe zgjatjen e jetës së termocentralit, si dhe arritjen e parametrave të ndotjes sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Kjo nevojë ka rezultuar në bazë të studimit të fizibilitetit të financuar nga BE-ja, që i është prezantuar edhe Aksionarit (Qeverisë së Kosovës) që në maj të vitit 2017.

“Prej këtyre investimeve, rreth 76 milionë janë grante të ndara nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe denoksit, ndërsa pjesa tjetër parashihet të bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës, ku po shihet që vetëm tani kanë filluar problemet të theksuara në kaldajë për shkak të vjetërsisë së gypave. Po ata gypat janë paraparë të ndërrohen në vitet 2020-2021. E–dhe në vitin e kaluar e kemi njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në lidhje me sfidat dhe me vështirësitë që do t’i kemi në të ardhmen nëse nuk do të financohen këto projekte. Me çmimin aktual të energjisë që e kemi ne edhe pse e kemi një fitim, e kemi të pamundur me atë fitim t’i mbulojmë të gjitha këto shpenzime. Prandaj kërkesa jonë është që të ketë ndihmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ose të ketë një rritje të tarifës së energjisë elektrike, për të cilën kemi bërë kërkesë apo i kemi dërguar ofertë kompanisë KEDS”, ka deklaruar drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.

Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në operimin më stabil, në disponueshmërinë e njësive dhe në sigurinë e prodhimit të energjisë elektrike që do të garantoj sigurinë energjetike të vendit dhe siguri të furnizimit sa më stabil nga termocentralet.

“Rehabilitimi i termocentralit “Kosova B” e zgjatë jetëgjatësinë edhe për 25 vitet e ardhshme, i cili do të operoj sipas standardeve evropiane sa i përket pjesës ambientale. Po ashtu do të rritet edhe siguria e furnizimit apo siguria e punës së blloqeve gjeneruese në Termocentralin Kosova B, si në gjenerator ashtu edhe në turbinë, po ashtu edhe në kaldajë që do të ketë investime dhe do të preken disa zona apo shumica e zonave që ne kemi probleme të vazhdueshme për shkak të vjetërsisë së pajisjeve”.

Nga 15 prilli i këtij viti do të filloi realizmi punëve në investimet e parashikuara.

“Atëherë do të ndalet njësia B1 nga ku do të filloj demolimi i elektrofiltrave dhe në anën tjetër rikonstruktimi për pjesën e kaldajës, për zvogëlimin DENOX-it. Ky është një projekt jashtëzakonisht i mirë, të cilin tanimë veq po e finalizojmë do të ndodh dhe do të implementohet gjatë vitit 2020 në njësinë B1 dhe në njësinë B2 do të realizohet gjatë vitit 2021. Studimi i fizibilitetit të cilin jemi tash duke e implementuar ka dy komponentë: komponenta ambientale dhe është komponenta e zgjatjes së jetëgjatësisë. Këto dyja janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, janë të lidhura shumë ngushtë sepse kanë ndikime në proceset teknologjike. Po në anën tjetër nuk ka kuptim të investosh në ambient dhe të mos investosh në teknologji dhe e kundërta”, deklaroi drejtori i Termocentralit Kosova B, Luigj Imeri.

Për sa i përket prodhimit të qymyrit, nga studimi i kryer prej kompanisë gjermane MIBRAG, nevojitet të parashihet hapja mihjes së re që do të mundësoj furnizimin me lëndë të parë për termocentralet ekzistuese dhe termocentralin Kosova e Re.

“KEK-u momentalisht operon me minierën Sibovci Jug-Perëndim me një prodhim mesatar prej 8 milionë tonë për vit, që plotëson kërkesat e kapaciteteve gjeneruese. Projekti aktual Sibovci Jug-Perëndim ka rezerva të mjaftueshme deri në vitin 2027, ndërsa pas kësaj faze vazhdohet me minierën e re, e cila si projekt ekziston, do të thotë KEK ka marrë masa me kohë që të ruhet kontinuiteti i furnizimit me qymyr të kapaciteteve gjeneruese bazuar në strategjinë për energji të Qeverisë së Kosovës. Miniera e re parashihet të ketë një kapacitet mesatar prej 10 milionë tonëve në vit, ndërsa brenda projektit kemi 400 milionë tonë, që do të thotë për 40 vitet e ardhshme pas përfundimit të minierës Sibovc Jug-Perëndim”, tha Gëzim Tërnava, Këshilltar profesional për xehetari./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *