Mijëra qytetarë në vit heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës

Më shumë se pesë mijë qytetarë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019. Kjo shifër po konsiderohet shqetësuese, pasi që nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën më si shtet të tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, qytetarët e Kosovës të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe kanë zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian për të marrë shtetësinë e re, janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim ngase disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë.

“Gjate periudhës janar-dhjetor 2019, në Divizionin e Shtetësisë janë marrë 5461 vendime për lirim nga shtetësia. Prej tyre 5394 janë vendime pozitive, 67 vendime negative. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës, janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene e të tjera”, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. Trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.

Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se nëse analizohen trendet ndër vite të heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës, atëherë shihet se kemi rritje të kësaj dukurie, të cilën ai e quan si shqetësuese.

“Duhet të fokusohemi edhe tek shkaku pse po largohen dhe pse po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës këta qytetarë. Nëse iu referohemi statistikave të Bankës Botërore, sipas raporteve të tyre, papunësia tek të rinjtë (në Kosovë) është diku rreth 50 për qind, derisa gjysma e popullsisë në Kosovë është nën moshën 30 vjeçare dhe trendi është i njëjtë në 5 vjetët e fundit”.

“Po ashtu, nuk ka indikatorë që tregojnë se ky trend është duke u zvogëluar, prandaj shumë qytetarë, në veçanti të rinjtë, po e shohin si zgjidhje emigrimin nga Kosova dhe në momentin që ata e kanë mundësinë që të bëhen shtetas të ndonjë prej vendeve të BE-së, e bëjnë atë dhe heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, thotë Xhambazi.

Ai shton se nëse analizohen të dhënat e heqjes dorë nga nënshtetësia e Kosovës nga viti 2014 – 2016, ka një trend të rritjes dhe atë për 20 për qind.

“Nëse i marrim shifrat që nga viti 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë, vërejmë që kemi një total prej 40 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë hequr dorë nga nënshtetësia. Kjo nuk ndodhë vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit”, thotë ai.

Të dhënat ndër vite të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar për numër të madh të qytetarëve të cilët po e lëshojnë Kosovën. Në dekadën e fundit më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.

Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruara më së shumti gjatë viteve 2010 – 2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.

Për periudhën 2016-2018, sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën joqeveritare ‘Germin’, që merret me organizmin e diasporës në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë se numri i madh i qytetarëve të Kosovës që po heqin dorë nga nënshtetësia është shqetësues për një vend.

“Shumica e qytetarëve që po heqin dorë nga shtetësia po e bëjnë për shkak të përfitimit të dokumenteve në shtetet tjera, duke pas parasysh që disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë. Kjo është shqetësuese për shkak se heqja dorë nga shtetësia nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën si shtet të së ardhmes së tyre dhe nuk planifikojnë të jetojnë në Kosovë. Nëse qytetarët heqin dorë nga shtetësia, një gjë të tillë nuk duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, shton ai, pavarësisht se këta qytetarë heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës, shteti i Kosovës duhet të gjejë mënyra për t’u lidhur dhe për të mbajtur kontakte me ta.

“Kosova duhet fillimisht të ndërtojë institucione demokratike dhe të drejta përbrenda sepse kjo reflekton edhe në aspektin e jashtëm, e sidomos në besueshmërinë e diasporës karshi institucioneve të Kosovës. Më tej, duhet ndërmjetësuar dhe zhvilluar nisma që kanë për qëllim ruajtjen e identitetit etnik dhe kulturor, ndërmjetësimin e shkëmbimeve të profesionisteve në periudha të ndryshme në Kosovë të cilët do të ndihmonin në ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe përfaqësimin e diasporës në institucionet vendimmarrëse”, thotë Krasniqi.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jeton jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *