Top të paguarit e Telekomit: Një zyrtar ligjor mori pagë mujore 12.300 euro

12 mijë euro, ishte paga për shtatorin e kaluar që avokati Gazmend Nushi ka marrë nga Telekomi i Kosovës. Nushi, i cili figuron në listat e punëtorëve të Telekomit, ka pagë mujore prej 2 mijë e 950 eurosh, mëson KTV-ja.

Por muajt e verës së vitit të shkuar paga e tij në disa raste ishte dyfishuar kur në muajt korrik e gusht, mori nga 6.150 euro, deri sa në shtator ajo u katërfishua.

Telekomi i Kosovës nuk i ka mohuar këto të dhëna, por i ka arsyetuar me angazhimet për ekspertiza ligjore në dy raste të ndryshme që lidhen me arbitrazhin.

“Rasti i parë ka të bëjë me procesin e arbitrazhit me kompaninë IVK, kompani për ofrimin e shërbimeve OTT e nënshkruar vite më parë dhe rasti i dytë me procesin e negociatave me Z-MOBILE për t’i ikur mundësisë së ndonjë arbitrazhi të dytë që do të kishte pasoja fatale për Telekomin sikurse në rastin e parë. Kemi pasur nevojë për mbështetjen e tyre profesionale për këto dy procese të ndara, e përvoja e tyre në këtë fushe ishte e domosdoshme. Besojmë fuqishëm se me angazhimin e këtyre ekspertëve dhe fakteve që janë në anën tonë do të dalim fitues në këto dy raste jashtëzakonisht me rëndësi për korporatën”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Vetë Nushi nuk e ka mohuar këtë pagesë, por shtoi se ditët në vazhdim do ta prezantojë kontratën që ka me Telekomin.

Si zyrtarë ligjorë në Telekom, që nga 2018-a, marrin pagë edhe Visar Ramaj dhe Abdullah Aliu, paga e të cilëve është 2 mijë e 950 euro. Me 150 euro më pak janë angazhuar edhe Ahmet Hasolli e Teuta Beka-Bunjaku, e cila në fakt ka pasur pagë prej 2 mijë e 700 eurosh.

Zyrtarët ligjorë janë të angazhuar si punëtorë me pagë mujore, por me kontratë mbi vepër. Rroga të mëdha kanë edhe tre drejtorët që u punësuan në fundvitin e 2018-s respektivisht fillim vitin e 2019.

Drejtoresha e Auditimit që është Shehide Lushtaku, gruaja e Mërgim Lushtakut e ka pagën mujore në vlerë prej 3 mijë e 529 eurosh. Po kaq merr edhe Sekretari i Korporatës, Shekip Fazliu që është edhe zyrtar i lartë i Nismës Social Demokrate.

3 mijë e 529 eurosh është edhe rroga e Armend Osajt i cili ishte kandidat për Bordin e Telekomit, dhe ka punuar ndër vite si drejtor i Sinalcos, kompani kjo që përfaqësohet në Kosovë nga ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj. Osaj është drejtor Financiar i Telekomit.

Në listën e punëtorëve janë edhe Liridona Dervishaj e cila ishte punësuar në janarin e 2019-s me rrogë prej 468 euro deri sa tre muaj më vonë në marsin e 2019-së rroga e saj arriti në 1 mijë e 576 euro.

Kohavisioni kishte raportuar edhe me parë për punësimin e Hajdar Sutajt në këtë institucion. Sutaj në shtatorin e 2019 morri pagë hiç më pak se 2 mijë 225 euro.

Rroga e tij është e barasvlershme me atë të zëvendësdrejtorit të Marketingut, Trim Musliu, zyre që ishte përfshirë në një skandal të vitit 2018 kur i kishte ndarë 300 mijë euro për një film të tij.

KTV-ja kishte raportuar atë kohë për këtë skandal, gjë që kishte bërë që Musliu të tërhiqej nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Telekomit dhe Prokuroria e Prishtinës të nisë hetimet për këtë çështje.

Rrogë të barabartë me Musliun ka edhe kunata e Ramush Haradainajt, Vesmira Haradinaj, e cili ishte punësuar fillimisht si zëvendësdrejtoreshë e Financave pa pasur fare konkurse dhe më vonë u bë drejtoreshë e marketingut.

Nga 2251 euro marrin edhe Arsim Ramadani dhe Shaban Ramaj të cilët në fundvitin e 2019 ishin përfshirë në një konflikt të armatosur në një nga lokalet e kryeqytetit, kur u plagos një person.

Nga 2001 euro rrogë janë përcaktuar për Vjollca Avdylin që bazuar në informacionet që ka Kohavisioni është tezja e ish-kryeshefit Gent Begollit dhe Erza Osmani që është motra e ish-këshilltares së kryeministrit Haradinaj, Sebi Osmanit.

Motra e Bekë Berishës respektivisht kunata e ish-kryesuese së Bordit, Besa Shatri Berisha, Vesa ka rrogë prej 1776 eurosh, aq sa paguhen edhe Faton Lokaj dhe Bekim Mehmeti, e Përparim Përvetica, që të tre zyrtarë të AAK-së.

Nga 200 euro më pak marrin kunata e motrës së Ramush Haradinajt, Liridona Dervishaj dhe motra e Valon Tolajt, Blerta Tolaj. Rroga e tyre është 1 mijë e 576 euro.

Po kaq marrin edhe Besart Morina, Dirlion Babaj dhe Albert Ahmeti.

Që të gjithë janë punësuar në Telekom gjatë qeverisjes se PAN-it.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *