Task-forca financiare “Moneyval”, një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, i ngarkuar për vlerësimin e zbatimit të standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, ka pubikuar ditët e fundit disa përfundime bashkangjitur me një listë shtetesh që kanë nevojë për monitorim të zgjeruar dhe marrjen e masave themelore, pasi shfaqin probleme serioze lidhur me pastrimin e parave. Sipas “Moneyval”, shtetet në fjalë kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe gjithashtu janë qartazi shumë të prekura nga niveli i lartë i krimit të organizuar.
Pas gati 5 vitesh mungesa, në vlerësimin e tanishëm, pjesë e listës është bërë edhe Shqipëria. Vendi tashmë renditet në listën gri të pastrimit ë parave, si një ndër vendet më problematike të globit për aspektin në fjalë. Hera e fundit që Shqipëria kishte qënë pjesë e listës së pastrimit të parave ishte viti 2015, për t’u rikthyer përsëri në përfundimet e shkurtit 2020.
Përfundimet bëhen edhe më alarmante, kur Shqipëria renditet përkrah shtetesh të tilla si Barbadosi, Xhamajka, Mauritius, Mianmar, Nikaragua apo Uganda, të cilat “Moneyval” i vlerëson gjithashtu shumë negativisht kur vjen puna tek krimi dhe pastrimi i parave.
Pas publikimit të rezultateve kanë reaguar ministrja e Financave Anila Denaj dhe kryeministri Rama. Megjithatë ajo ç’ka vihet re nga deklaratat e tyre është fakti se problemi nuk adresohet por thjesht bëhet një konfirmim i gjendjes, pa marrjen e masa konkrete.
Denaj theksoi se “Mangësitë më thelbësore të konstatuara iu përkasin organeve jashtë Ekzekutivit, prokurorive dhe gjykatave.” ndërsa Rama u shpreh se “Shqipëria, apo çdo vend tjetër në këtë faze të rrugëtimit për integrim, si të tjerë më parë, nuk janë aspak pa probleme. Nuk ka asnjë dyshim që krimi i organizuar, korrupsioni, mangësitë në administratën publike, janë sfida dhe probleme reale të cilat duhen zgjidhur. Nuk ka dyshim për këtë. Nëse këto nuk do të ishin reale dhe serioze në këtë fazë, përse do të na duhej të kërkonim çeljen e negociatave, por mund të kërkonim të behshim anëtarë të BE-së menjëherë.”/Atlas/