Biznesmeni kosovar, ish-deputeti AAK’së në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të heqë akcizën e prodhuesve të pijeve joalkoolike.
Gani Dreshaj e ka bërë këtë kërkesë edhe si pjesë e shoqatës së prodhuesve të Pijeve Joalkoolike në Kosovë.
Biznesmeni ka thënë se nëse hiqet kjo akcizë, do të mundësohet rritja e kapaciteteve prodhuese dhe do të rritet numri i vendeve të punës.
Kërkesë të njëjt më parë kishte bërë edhe Shoqata e Prodhuesve të Pijeve Joalkoolike.
“Si ish-kolegë në parlament, si biznesmen dhe mbi të gjitha si qytetar, iu shpreh urimet më të sinqerta për detyrën e lartë dhe me përgjegjësi të drejtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Fillimisht dëshirojmë të iu vëmë në dijeni se ndaj Prodhuesve të Pijeve Joalkoolike në Republikën e Kosovës, përkatësisht në prodhimet e tyre – pijet joalkoolike, aplikohet akciza me normën 0.045 €/litër vendore dhe 0.045 €/litër për import.
Nëse shiqohet dhe bëhet krahasimi me shtetet e rajonit dhe të BE-së, atëherë do të shohim se këto shtete nuk e aplikojnë fare akcizën për produktet (pijet) joalkoolike (vendore dhe për import), e ato shtete janë : Slovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Serbia, ku në këto dy shtete të fundit pas hulumtimit që kemi bërë, kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Akcizat, ashtu që akcizat aplikohen vetëm në: derivatet e naftës, produktet e duhanit, pijet alkoolike, kafe dhe energji elektrike, ndërsa nuk aplikohen fare në pijet joalkoolike.
Duke parë që Kosova konsiderohet si shteti me treguesit më të ulët ekonomik në rajon, ne si Shoqatë vlerësojmë se prodhuesit e pijeve joalkoolike, nëse edhe më tej ngarkohen me këtë akcizë, do të vihen në gjendje shumë të vështirë të të bërit biznes dhe në pamundësi që të konkurrojnë me prodhimet e importuara, do të detyrohen t’i reduktojnë kapacitetet e tyre prodhuese apo mund të shkojnë edhe në drejtim të falimentimit, e që si pasojë do të ketë zvogëlimin e vendeve të punës, të ardhurat e kompanive dhe e gjithë kjo do të ketë impakt në ngecjen e zhvillimit të ekonomisë së shtetit të Kosovës.
Në vazhdim theksojmë se me këtë lloj të prodhimit të pijeve joalkoolike në Republikën e Kosovës mirren disa kompani që kanë jap kontribut të madh dhe të vazhdueshëm si në sferën numrit të madh të punëtorëve të cilët i kanë punësuar, e po ashtu kanë ndikuar në rritjen e buxhetit të Kosovës për shkak të tatimit që paguajnë, sepse hyjnë në grupin e tatimpaguesve të mëdhenj shumë kompani.
Meqë në vendet e rajonit dhe në disa shtete të BE-së, sipas ligjeve dhe praktikave të tyre nuk aplikohet fare një akcizë e tillë, ne duke Ju drejtuar përmes kësaj Letër-Kërkese, z.Kryeministër shprehim kërkesën tonë që duke ndihmuar komunitetin e biznesit në përgjithësi dhe prodhuesit e pijeve joalkoolike në veçanti, të ndërmerni masat që të hiqet akciza për produktet (pijet) joalkoolike, sepse me heqjen e kësaj akcize (takse), do të na mundësohet që t’i rritim kapacitetet tona prodhuese, e cila do të reflektojë në mënyrë automatike në rritjen e investimeve tona në pajisjet (linjat) prodhuese si dhe po ashtu do të ndikojë në shtimin e numrit të vendeve të punës me nga 15 deri në 20 % për secilin biznes që operon dhe mirret me prodhimin e pijeve joalkoolike në Kosovë” ka thënë Dreshaj në porosinë për Kurtin.