Rritet presioni ndaj Kosovës, ambasadori i SHBA-së kërkon heqjen e taksës

Ambasadori Philips Kosnett të enjten ka takuar krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai gjatë takimit me Kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmanin, Zëvendës Kryeministrat Avdullah Hoti dhe Haki Abazi, dhe me Ministrin e Jashtëm Glauk Konjufca, u ka folur për eliminimin e tarifës 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjës Hercegovinës.

 

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, sot është takuar me liderët e institucioneve të Kosovës.

Ai gjatë këtyre takimeve që pati theksoi se duhet të largohen tarifat e vendosura nga Kosova.

Sipas njoftimit të Ambasadës të publikuar në Facebook, Kosnett u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun. Me kryeministrin Albin Kurt, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrat Hoti dhe Abazi si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën.

“Ambasadori Kosnett vazhdon takimet e tij të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë së re duke u takuar sot me Ministrin e Brendshëm Veliu. Ai është takuar me Kryeministrin, kryetaren Osmani, Zëvendës Kryeministrat Hoti dhe Abazi, dhe me Ministrin e Jashtëm Konjufca, dhe mezi pret të takojë ministrat e tjerë. Ai po vazhdon gjithashtu takimet e tij të rregullta me liderët e partive opozitare. Në të gjitha këto takime, si në takimet e tij të rregullta me kryeministrin Kurti, ambasadori Kosnett foli për rëndësinë e marrëdhënies së SHBA me Kosovën, me fokus në avancimin e synimeve tona të ndërsjella për të siguruar paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, dhe përfitimet ekonomike vijnë duke eliminuar menjëherë tarifat”.

E gjatë ditës së djeshme kryeministri, Albin Kurti ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë.

Deklaratat e tilla Kurti i ka bërë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, ku ka thënë se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës ka qenë vendim i qeverisë së kaluar dhe se qeveria që ai drejton, nuk mbështet tarifat si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por është e angazhuar për reciprocitet, si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

“Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve te Kosovës. Ky grup do të përmbledhë te gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, ndaj paralajmërimeve të kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj prodhimeve të Serbisë ka reaguar lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë vendimin për vendosjen e kësaj tarife, gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të mos e heqë tarifën “për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar”, por që të bëjë ofertë “për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.

“Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar. Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, ka thënë Haradinaj.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.

Që atëherë, Beogradi  ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife./Monitor.al/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *