Reagojnë Odat Ekonomike në Kosovë, kundër ndalimit të punës të dielave

Oda Amerikane ka reaguar për vendimet e marra nga disa Kuvendeve Komunale lidhur me atë se të dielave duhet të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset.  Një reagim të tillë e ka bërë edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Të dyja këto Oda thonë se ky veprim dëmton bizneset. Për mbylljen e bizneseve ka ardhur një reagim edhe nga një imam i komunës së Vushtrrisë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, që sipas tyre, do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi

Ata me anë të një njoftimi për media bëjnë të ditur se janë të shqetësuar lidhur me këto vendime të cilat sipas tyre do të kufizojnë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.

“Oda Amerikane beson se kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithëmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”.

“Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Oda Amerikane rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve”.

“Në fund, Oda Ekonomike Amerikane thërret komunat që tashmë kanë marrë vendime të tilla të rishikojnë ato, si dhe të marrin në konsideratë edhe shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat para marrjes së vendimeve të tilla që vënë kufizime në punën e këtyre të fundit”, shkruhet në këtë njoftim.

Po ashtu për këtë çështje ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka reaguar pas vendimit që e diela të jetë ditë pushimi në disa prej komunave të vendit.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se mbyllja e bizneseve të dielën, do të sjell dobi vetëm për vendet e rajonit.

“Vendimet në Kosovë, milionat në vendet fqinje. Vendime për bizneset pa asnjë konsultë me biznesin. Mbyllja e bizneseve të dielën, nuk sjell dobi për asnjë subjekt në Kosovë, por është mese e qartë që do të sjell shumë dobi në vendet e rajonit. Krejt ato euro që shpenzohen në vendin tonë, do të shpenzohen në Shkup, Tiranë e vende tjera”, ka shkruar Rukiqi.

Ditë më parë Komuna e Vushtrrisë ka marrë vendimin që të dielave të mos punojë asnjë biznes, përveç atyre që me Rregullore do të ju lejohet të punojnë të dielave. E këtë vendim të komunës, po e kundërshton një imam nga Vushtrria.

Bedri Halili, imam i xhamisë së Çarshisë në Vushtrri, po i bën kërkesë komunës që të mos i mbyll të gjitha bizneset.

“Kërkojmë nga komuna e Vushtrrisë që mos të mbyllen të gjitha; qebaptoret, lokalet ushqimore, autolarjet-etj”, ka thënë Halili.

Madje, mbylljen e këtyre bizneseve gjatë të dielave, imami nga Vushtrria po e quan jofetare dhe joligjore.

“Kështu të gjitha të mbyllura, nuk është fetare, shtetërore, ligjore, qytetare e as njerëzore”, ka deklaruar ai.

Propozimi, edhe pse ende nuk është paraqitur në Kuvendin komunal, ka gjetur pëlqimin e disa prej këshilltarëve.

Propozimin që e diela të jetë ditë pushimi për bizneset, e ka përkrahur edhe këshilltarja komunale në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta.

“Sipas rregullores për orarin e punës së ndërmarrjeve afariste në Komunën e Prishtinës, e cila është në diskutim, të dielave mund të punojnë barnatoret, qendrat e emergjencës, furrat e bukës dhe disa prej gastronomive me rend dhe orar të kufizuar. Pra, vetëm aktivitetet që kanë të bëjnë me kërkesat themelore dhe urgjente të qytetarëve. Ky orar i ri nxit respektimin e të drejtave të punonjësve të cilët edhe ashtu nuk gëzojnë paga meritore, duke zvogëluar kohën e gjatë të qëndrimit të tyre në punë si dhe është humane sepse këta njerëz meritojnë të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre”, ka thënë ajo.

Një propozim të tillë, gjatë vitit të kaluar e miratoi komuna e Mitrovicës.  Kurse, rregullorja e re sipas të cilës bizneset që veprojnë në Vushtrri nuk do të punojnë të dielave, ka hyrë në fuqi nga data 1 shkurt./Monitor/.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *