Oda Amerikane e mbështet Kurtin: Reciprociteti përmirëson investimet në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon të insistojë në zëvendësimin e taksës 100 për qind me masën e reciprocitetit. Megjithë kundërshtinë e administratës së ShBA-së për këtë masë, Kurti është shprehur bindshëm disa herë pro vendosjes së asaj mase për bashkëpunim politik e ekonomik me Serbinë.

Nga ana tjetër, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka përsëritur se taksa 100 për qind ndaj importeve nga Serbia duhet të hiqet ashtu si edhe të mos vihet masa e reciprocitetit,në mënyrë që investimet të vihen në funksion.

Por, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, për GazetaBlic, ka thënë se reciprociteti mes dy shteteve do ta ndihmojë procesin e investimeve të huaja brenda vendit.

“Oda Amerikane beson se njohja reciproke, tregtia pa barriera dhe fuqizimi i lidhjeve ekonomike vetëm se do ta përmirësojnë perceptimin për të gjitha shtetet në sytë e investorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj”.

E, analisti Armend Muja, ka thënë për GazetaBlic se Kosova ka nevojë për treg plotësisht të lirë dhe se Serbia duhet ta njohë Kosovën e realitetin e saj. Në këtë aspekt Kosova është humbësja më e madhe në kuadër të vendeve të CEFTA-s, tha ai, për çka shton se liberalizimi i tregut të shërbimeve është mundësia që i duhet Kosovës për të konkurruar.

“Serbia duhet me e njoftë realitetin, nuk shkon kështu më. Kosova në kuadër të CEFTA-s është një humbëse në tregti të lirë, sepse importon 3.3 miliardë, kurse eksporton vetëm 300 milionë euro. Serbia është përfituesi kryesor me 50 për qind të ekonomisë dhe shumicës së eksporteve në vendet e CEFTA-s. Është e rëndësishme që Kosova të insistojë në liberalizim të tregut të shërbimeve, aty Kosova ka përparësi konkurruese, jo në mallra, në mallra përfiton Serbia. Ne kemi nevojë të kemi një treg të plotë të lirë, jo vetëm aty ku i konvenon Serbisë”.

Në përkrahje të masës së reciprocitetit, Muja thotë se është politikë më e mirë dhe se nuk është e pazakontë.

“Nuk është që nuk e ka përdorë më herët. Kosova e ka përdorë reciprocitetin në vitin 2008-2011, e ka përdorë shumë shpesh ndaj çimentos, ndaj peshqve të Maqedonisë, pra është përdorë shumë shpesh dhe nuk është e pazakontë kjo”.

Por për të arritur tregti të lirë mes Kosovës e Serbisë, analisti shton se duhet të hiqen barrierat si njohja e dokumentave, diplomave, njohja e identitetit etj.

“Nuk mund të imagjinohet një tregti e lirë mes Kosovës dhe Serbisë sa kemi të tilla pengesa në njohje të dokumenteve, diplomave, tregut të lirë dhe mbi të gjitha që është e rëndësishme, njohja e identitetit ose pika kufitare e Kosovës, nëse nuk lejohet tranzicioni I mallrave dhe njerëzve nga jashtë duke e përdorë Kosovës si territor, pastaj së fundi edhe njohja e tabelave, aty duhet insistuar sepse është nga pengesat kryesore që ballafaqohen sot kosovarët”.

Qeveria e re e Kosovës, e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e ShBA-së e BE-së për heqjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje nuk është zgjatur deri te qëndrimi për zëvendësimin me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, dje para mediave ka thënë se brenda kësaj jave pritet të vendoset lidhur me masën e reciprocitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *