Konferenca e donatorëve e mbajtur sot në Bruksel ka arritur të mbledhë një shifër rekord prej 1.15 mld euro si donacione, projekte dhe kredi, ndonëse kreditë përbëjnë më shumë se gjysmën e shumës, ku 160 mln u dhanë nga Banka Botërore, rreth 360 mln euro nga Banka Islamike për Zhvillim, 100 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve, 80 milionë euro nga BERZH dhe mbetet për t’u sqaruar dhe Franca dhe Italia se sa është kredi dhe sa grant.
Kryeministri Edi Rama tha se kontributi i dhene ne konferencen e donatoreve ishte jashte pritshmërive.
“Kjo është një wow, fakti që unë nuk kam një fjali më vete e tregon. Ndërkohë që po vinim këtu po spekulonim pasi nevoja ishte kaq e madhe. Nëqoftë se arrijmë tek 40% e të gjithë shumës mund të kthehemi në shtëpi pa ankth, po të arrinim 50% mund të ndiheshim se kishim arritur një sukses”, tha Rama.
Kjo është përtej imagjinatës së shfrenuar, nuk di ç’të them por më lejoni të jem mistik se në ç’mënyrë tjetër mund të shpjegoj këtë. Më lini të citoj diçka nga Bibla, Korinthët ku thuhet ‘’Në një frymë u pagëzuam nga një trup e të gjithë pimë nga e njëjta frymë. Nëse një pjesëtar nderohet të gjithë gëzohen’’. Dhe ndërsa citoj Biblën, edhe Papa Francesku e ka pagëzuar por nuk mund të rrij pa cituar edhe Kuranin. ‘’Njerëzimi është një komb i vetëm’’.”- tha Rama.
Kemi dëshmuar kurajë dhe solidaritet të jashtëzakonshmë. Kemi arritur të mbledhim 1.15 mld euro. Ky është një mesazh për të treguar se sa shumë e kemi përzemër Shqipërinë. Duhet të nisë ndërtimi në terren dhe ne jemi aty për ju. “, tha komisioneri për zgjerimin.
Rekord nga bankat islamike
Grupi i bankave islamike është gati me 356 mln euro për rikuperimin e biznesit. Këto programe do të përcaktohen në përputhje me Shqipërinë”, tha përfaqësuesi i Bankave Islamike. Programet do jenë për njē periudhë 4 vjeçare.
Arabia saudite dha 70 milion euro ose ndertimin e 2000 banesave te reja, si grant.
Gjermania jep 11 mln euro
Gjermania do të angazhojë 11 milionë euro ndihmë financiare për rindërtimin në Shqipëri. Këtë e bëri të ditur sot Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas në Konferencën e Donatorëve në Bruksel:
“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, deklaroi Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas.
Suedia jep 5.6 milionë euro
Suedia do të kontribuojë me 5,6 milionë euro fonde për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit. Shumën që do të jepet u njoftua në konferencën e donatorëve, ministri për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zhvillim, z. Peter Erikssonmp.
“Suedia po e mbështet Shqipërinë me 5.6 milion euro pas tërmetit. Sot Ministri ynë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim @petererikssonmp është në Bruksel, pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë”, njoftoi ambasada suedeze në vendin tonë.
Italia identifikon 65 mln euro burime financiare
Kryeministri italian Maio: “Ne ishim të parët që ndërhymë në Shqipëri. Që në orët e para aktivizuam njërësit tanë, ne kemi dhuruar tenda, gjeneratorë. I dhamë solidaritetin tonë qytetarëve shqiptarë. Krijuam një task force për t’iu ardhura në ndihmë institucioneve në mbrojtje të monumenteve kulturore. Ne jemi në anën e Shqipërisë. Kemi identifikuar burime financiare për 65 milionë euro, do të përdorim edhe 21 milionë euro të tjera.”
Franca, 160 mln euro projekte
Mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze u nënshkrua marrëveshja për “Themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të Proparco dhe të Expertise France në Shqipëri”. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës z. Jean-Vyes Le Drian. Projektet do të jenë me vlerë 100 milionë euro. Do të japim një hua prej 60 milionë euro për rindërtimin e kanalizimeve të ujit të pijshëm dhe 1 milionë euro do të jetë për ndihmë humanitare.
Hua 160 mln euro nga Banka Botërore
Banka Botërore ofron 160 milionë lekë hua me fokus në sektorin e strehimit. Në të njëjtin projekt janë 6 milionë euro nga BERZH për blerjen e pajisjeve për spitalet.
Banka Botërore aktualisht po jep asistencë teknike për ligjin e fatkeqësive natyrore dhe rimëkëmbjen.
Banka Europiane e Investimeve do të japë 2,5 milionë euro grante për asistencë teknike për rimëkëmbjen.
Të tjerët
Hollanda është angazhuar për të mbështetur popullin shqiptar dhe do të dhurojë 3 milionë euro.
Danimarka do të japë 2 milionë euro në mbështetje të popullit shqiptar.
Polonia mbështet prespektivën europiane e Ballkanit perëndimor. Polonia shpreh solidaritetin për Shqipërinë, si dhe ofron ndihmë financiare 2,7 milionë euro.
Greqia do të angazhojë 2,5 milionë euro për Shqipërinë.
Sllovenia jep 250 mijë euro për rikonstruksionin e shkollave.
Finlanda do të angazhojë 300 mijë euro për rindërtimin e Shqipërisë.
Luksemburgu menjëherë pas tërmetit ofroi 100 mijë euro me Kryqin e Kuq. Do të ofrojnë edhe 150 mijë euro nëpërmjet projekteve të UNICEF në mbështetje të fëmijëve.
Bullgaria do të ofrojë një ndihmë prej 100 mijë për rindërtimin e vendit.
Hungaria do të ofrojë 250 mijë euro për rindërtimin e kishave të dëmtuara.
Mali i Zi do të japë 250 mijë euro.
Serbia do të japë 2 milionë euro grante, në mbështetje të Shqipërisë.
Kosova do të ofrojë një mbështetje shtesë prej 200 mijë euro në formë grante.
Turqia: Vlera totale, bashkë me shtëpitë 46 milion euro
Zvicra: 9 milion euro grante
Katari: 5 milion dollarë
Amerika: 5 milion dollarë
Japonia: 2.1 milion euro
Britania e Madhe: 1 milion paund
Azerbaxhani: 500 mijë euro
Norvegjia: 26 milionë korona norvegjeze
Republika e Koresë: 300 mijë dollarë
Lihtenshtejni: 50 mijë euro
Algjeria: 50 mijë euro
/Monitor/