KEDS-i largon nga puna krye-sindikalistin Rashit Gashin

Rashit Gashi të mërkurën mori rrugën si çdo ditë tjetër për të shkuar në punë, në KEDS, aty ku punon tash e 13 vjet.

Por në hyrje të kësaj kompanie ai u pengua nga sigurimi, që i tha se nuk mund të hyjë brenda objektit pasi atij i është shkëputur kontrata e punës, raporton KTV.

Gashi, i cili ishte edhe sekretar në federatën e sindikatave të pavarura “Elektrokosova”, po pretendon se largimi i tij nga puna është bërë shkaku i angazhimit sindikal.

Ai thotë se me këtë vendim KEDS-i nuk e ka respektuar institucionin e Sindikatës, duke shkelur Ligjin mbi organizim sindikal për imunitetin që kanë anëtarët e saj.

Neni 24 i këtij ligji parasheh që sindikalistëve nuk mund t’iu ndërpritet kontrata, t’iu caktohet vend tjetër i punës, t’i ulet pozita ose të fillohen masa disiplinore.

Veç kësaj, Gashi thotë se KEDS-i ka bërë edhe shkelje të Ligjit të Punës, të Kontratës Kolektive dhe Marrëveshjes së Menaxhmentit me Sindikatën, e cila parasheh se asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna deri në vitin 2022.

Ish-sindikalisti thotë se betejën e tij me KEDS-in do ta vazhdojë përmes gjykatës, edhe pse, sipas tij, menaxhmenti i kompanisë e ka paralajmëruar atë se është i gatshëm të paguajë çfarëdo çmimi vetëm që ky të mos jetë pjesë e kompanisë.

Për këtë rast Kohavisioni e ka pyetur KEDS -in, por Zyra për Media nuk ka kthyer përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *