Shqipëria e pesta në Europë për çmimet e lira në restorante

Shqipëria renditet ndër vendet më të lira të Europës për sa i përket çmimeve të lira në restorante. Sipas portalit më të madh mbi kostot dhe cilësinë e jetës, Numbeo, Shqipëria renditet e pesta në Europë si më e lira, duke përmirësuar kështu renditjen në raport me një vit më parë.  Megjithatë duhet nënvizuar se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit është më e lirë.

Një drekë për dy persona me tre pjata kushton mesatarisht 2500 lekë. Kosova vijon të mbetet më e lira në Europë për të konsumuar një vakt në një restorant mesatar, ku sipas Numebo.com, fatura për dy persona vjen mesatarisht 1850 lekë.  Çmimet vijojnë të jenë më të lira edhe në vende të tjera të rajonit. Kështu në Maqedoninë e Veriut një drekë për dy persona kushton mesatarisht 1971 lekë, ndërsa në Serbi një drekë për dy persona shkon diku me pak se 2500 lekë, me një diferencë të vogël me Shqipërinë.

Edhe Ukraina renditet në listën e pesë vendeve më të lira të Europës, ku sipas të dhënave të raportuara nga individët në Numbeo, fatura për një vakt në restorant është 2230 lekë.

Bosnja dhe Mali i Zi janë më të shtrenjtat e rajonit. Bosnja ka një diferencë të ngushtë me Shqipërinë, ku një drekë atje kushton mesatarisht 2527 lekë. Ndërsa Mali i Zi, i 12-ti në renditje, vlerësohet të jetë më i shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor, ku fatura shkon mesatarisht 3000 lekë, duke kaluar kështu edhe vende anëtarë të BE-së si Çekia apo Bullgaria.

Ku kushton më shtrenjtë

Duhet ta pyesni veten mirë nëse do të drekoni në një restorant në Zvicër apo në Islandë. Zvicra është vendi më i shtrenjtë i Europës ku sipas Numbeo një drekë atje kushton mesatarisht 11,188 lekë, ndjekur nga Islanda me 11,159 lekë.

Vendet nordike gjithashtu janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Në Norvegji dreka kushton mesatarisht 96,000 lekë, pasuar nga Danimarka rreth 8,240 lekë.

Ata që do të udhëtojnë drejt vendeve fqinje si Italia apo Greqia, duhet të dinë se një drekë në restorant për dy persona kushton përkatësisht 6150 lekë dhe 4180 lekë.

Në Çeki, një tjetër destinacion popullor turistik për shqiptarët, dreka kushton jo më shumë se 2900 lekë, duke u renditur kështu krahas vendeve të lira./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *