Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e ministrisë së Financave dhe Transfereve për rekomandim të Kuvendit të Kosovës për zgjatjen e mjeteve buxhetore më muajin mars. Me shumicë votash qeveria ka miratuar këtë propozim. Sipas propozimit kërkohet që ky propozim të shkoj në votim tek deputetët e Kuvendit të Kosovës për këtë zgjatje të mundshme buxhetore.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që propozimi për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars t’i dërgohet Kuvendit për miratim.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi ka kërkuar para anëtarëve të kabinetit qeveritar që të ndahen këto mjete në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e pagesës së detyrimeve.
“Në këtë mbledhje të Qeverisë paraqes kërkesën për ndarjen e buxhetore edhe për muajin mars për të siguruar vazhdimësinë buxhetore. Nga vlerësimet e MFT-së, konstatojmë se ndarja 1/6 nuk është e mjaftueshme për pagesën e pagave dhe shpenzimeve, kërkojmë alokimin e mjeteve”, tha Bislimi.
Kure, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë, javën e kaluar kishte deklaruar se mbetet të shihet, a do të zgjatet buxheti aktual edhe për muajin mars, apo të votohet ai për këtë vit.
“Në qoftë se në seancën e radhë që shpresojmë që do të mbahet ditën e enjte që vjen, do ta trajtojmë vetëm kërkesën buxhetore për muajin mars apo do ta vendosim në rend dite në tërësi, ku varet nga vendimi i qeverisë që do të merret këto ditë”, kishte thënë Osmani.
Me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020.
Kurse për muajin mars, vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.
Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.
Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt, ka premtuar se buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit qeverisës.
Kurti ka premtuar se qeveria e tij do të jetë qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
“Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm”, kishte premtuar Kurti.
Përderisa qeveria të mos jetë gati me projektbuxhetin e vitit 2020, edhe kuvendit i mbetet që të enjten t’i miratojë komisionet parlamentare të cilat janë të domosdoshme që të procedohet me vendime. Seanca e radhës e kuvendit, ku pritet të miratohet këto komisione, është paralajmëruar të mbahet të enjten.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas qeverisë së kaluar është paraparë të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo 1 milion euro më shumë sesa buxheti i vitit 2019./Monitor.al