Tërmeti i 26 nëntorit frenoi kërkesën për kredi në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme kryesisht, raportoi Banka e Shqipërisë për tendencat e kreditimit në tremujorin e katërt të vitit 2019.
Për vetë natyrën e brishtë të aktivitetit ekonomik të Ndërmarrjeve të Vogla dhe te Mesme, pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 mund të kenë ndikim të lartë tek kjo kategori i biznesit vlerësoi Banka e Shqipërisë. Në fund të vitit 2019, kredia për SME-të përbënte 11.6% të PBB-së, ose 0.7 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Ky raport për kredinë dhënë biznesit të madh ishte 12.3%, pothuajse i pandryshuar nga viti 2018. Nga ana tjetër, rritja e kredive për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) shënoi ngadalësim, në ndryshim nga ecuria përmirësuese deri në tremujorin e tretë. Ecuria e portofolit të kredive për NVM-të është ndikuar pozitivisht nga lehtësimi i standardeve të bankave, ndërkohë që kërkesa e tyre për financim është më e ulët se një tremujor më parë.
Në tremujorin e fundit të vitit 2019, kredia për biznese u rrit me 6.5 miliardë lekë, duke shënuar një përmirësim të lehtë të normës vjetore të rritjes, në mesatarisht 8%.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e kredisë është nxitur nga konkurrenca në sistemin bankar, kryesisht nga riaktivizimi në kredidhënie i bankave me ndryshime pronësie. Gjithashtu, gjendja e favorshme e likuiditetit dhe mirëkapitalizimi i bankave i kanë ndihmuar ato të ndjekin politika më të lehtësuara kreditimi ndaj bizneseve.
Në fund të vitit 2019, kreditë me probleme të bizneseve ndaj totalit ishin 10.7%, niveli më i ulët i dhjetë viteve të fundit. Reduktimi i këtij raportit me 16 pikë përqindje gjatë kësaj periudhe ka reflektuar përmirësimin e aktivitetit ekonomik, kuadrit ligjor dhe kushteve financiare, uljen e rrezikut nga luhatjet në kursin e këmbimit, si dhe forcimin e marrëdhënieve bankë- biznes. Një ndikim të rëndësishëm në këtë ecuri ka pasur dhe nxjerrja jashtë bilancit të bankave të kredive të humbura.
Zhvillimet pozitive të portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e katërt u mbështetën nga kreditimi i biznesit të madh. Ritmi i rritjes së këtij portofoli shënoi 4.5% ose 2.5 pikë përqindje më shumë se një tremujor më parë.
Sektori i turizmit, më i kredituari
Sipas sektorëve të ekonomisë, kredia për bizneset në tremujorin e fundit është mbështetur nga kreditimi për sektorin e shërbimeve dhe atë të tregtisë. Ritmet e rritjes së kredisë për këta sektorë u përmirësuan në përkatësisht 10.6% dhe 7.6%. Ndërkohë, portofoli i kredisë për industrinë dhe ai për ndërtimin mbetën pothuajse të pandryshuar nga tremujori i tretë. Ritmet e rritjes së këtyre portofolave u ngadalësuan në përkatësisht 9.7% dhe 2.5%.
Bujqësia ishte i vetmi sektor që shfaqi tkurrje të kredisë krahasuar me një vit më parë, me rreth 7%. Tkurrja e këtij portofoli ka qenë një fenomen i pranishëm në pjesën më të madhe të vitit, duke ndikuar kështu në rënien e peshës së kredisë për bujqësinë ndaj totalit në 1.4%. Reduktim të peshës ndaj totalit të kredisë shfaqi edhe sektori i ndërtimit, ku kredia për këtë sektor u reduktua në 14.0%, krahasuar me 14.7% një vit më parë. Tkurrja e peshës së kreditimit në këta dy sektorë është shoqëruar nga zgjerimi i portofolit të kredive për sektorin e industrisë, tregtisë dhe shërbimeve, të cilat shënuan rritje të peshës së tyre ndaj totalit, në përkatësisht 25.1%, 44.7%, 14.8% në fund të vitit 2019.
Interesat, bien për lekun rriten për euron
Normat e interesit për kreditë e reja në lekë dhënë bizneseve janë shfaqur në rënie për kreditë për likuiditet, por kanë regjistruar rritje të lehtë për kreditë për investime.
Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për bizneset private rezultoi 6.1% në tremujorin e katërt të vitit 2019, duke mbetur e pandryshuar nga një tremujor më parë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, janë regjistruar rënie të mëtejshme në normat e interesit për financimin e nevojave për likuiditet (overdraft dhe kapital qarkullues). Norma mesatare për kreditë për likuiditet rezultoi mesatarisht 6.1% në tremujorin e katërt, nga 6.3% dhe 6.8% që ishte përkatësisht në tremujorin e tretë dhe në gjysmën e parë të vitit. Në tërësi për vitin 2019, ajo ishte 0.5 pikë përqindje më e ulët se në vitin 2018, duke diktuar kështu reduktimin e normës së interesit për bizneset në këtë periudhë.
Normat e interesit për kreditë në euro të bizneseve ka shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e katërt të vitit 2019. Ato rezultuan mesatarisht 4.4% në këtë tremujor, nga 4.1% që shënonin në tre tremujorët e parë të vitit. Rritja e interesave ka qenë e pranishme kryesisht në segmentin e kredisë për investime në pasuri të paluajtshme, ndërkohë që normat e interesit për llojet e tjera të kredive nuk kanë pësuar ndryshime të qenësishme. Pavarësisht luhatjeve të vogla ndër tremujorë, norma e interesit për kreditë në euro për bizneset është shfaqur relativisht e qëndrueshme që prej gjysmës së dytë të vitit 2017, duke mos devijuar shumë nga vlera mesatare prej 4.2%./Monitor/