Katër operatore morën pjesë në garën për tenderin “Shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e kontratës PPP për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e Aeroportit të Kukësit”.
Fondi limit për këtë procedurë ishte 175 milionë lekë por sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kompania e shpallur tashmë fituese Shoqëria “Instituti i Konsulencës në Ndërtim IKN” është shpallur fituese me vlerën 941 milionë lekë. Referuar të dhënave të bëra publike nga Ministria në garë ishin pjesëmarrës bashkimi i operatorëve ekonomikë “Gjeokonsult & CO” sh.p.k., me “A.SH.Engineering” sh.p.k. me dhe “Archispace” sh.p.k. Kompania e dytë ishte bashkimi i operatorëve ekonomikë “IMES-D” sh.p.k. me dhe “Geosat Group” sh.p.k. E treta ishte bashkimi i operatorëve ekonomikë “Infra – Plan” sh.p.k. dhe “Tümaş Türk Mühendislik Müşavirlik ve Müteahitlik Anonim Şirketi” dhe e katërta kompania tashmë fituese “Instituti i Konsulencës në Ndërtim IKN” sh.p.k.
Në një sqarim lidhur me ecurinë e procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e Ministrisë specifikohet se kompanitë që janë s’kualifikuar kanë pasur probleme lidhur me specifikimin e përgjegjësive, nuk plotësojnë disa kritere specifike apo nuk kanë të punësuar staf me kërkesat profeisonale që kërkon kontrata. I njëjti vlerësim është bërë hap pas hapi për të katërt bashkimet e operatorëve ndërkohë që lidhur me fituesin njoftohet se ka pesë ditë kohë për t’u paraqitur për lidhjen e kontratës. Referuar specifikimeve teknike të bëra në dokumentet e dorëzuara në APP nënvizohet se aeroporti i Kukësit që tashmë është dhënë me koncesion është akoma i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrit të Transportit Nr.130 datë 09.11.2012 “Për certifikimin dhe regjistrimin e Aerodromeve”, dhe ka nevoje për investime shtesë.
Lidhur më këtë nevojë mbikëqyrësi i punimeve ka të specifikuara një sërë detyrash që nisin me mbikëqyrjen e kontratës për zbatimin e punimeve në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të kryejë të gjitha detyrimet e besuara atij. Po kështu të njihet në detaje me projekt zbatimin dhe specifikimet teknike të objektit, të hartojë programin e kontrollit për zbatimin e projektit dhe cilësisë së punimeve në bazë të standardeve të përcaktuara me ligj. Kjo procedure u hap vitin e shkuar dhe u ankimua çka beri te zgjatjen edhe koha e shpalljes se fituesit.
Koncesioni i aeroportit të Kukësit
Në mars të vitit 2019 Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për Aeroportin e Kukësit. Procedura e tenderimit u krye në dhjetor të vitit 2018 dhe fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k. Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vite kurse kohëzgjatja e punimeve dhe afati i vënies në punë është 24 muaj. Vlera e rehabilitimit është rreth 8 milionë euro. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në atë kohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se nga zhvillimi i projektit ndërtues dhe më vonë i atyre të aktiviteteve në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit do të punësohen fillimisht 220 persona ndërkohë që nga përllogaritjet dhe kryqëzimi i të dhënave të ngjashme, mbështetur dhe nga destinacionet e ndërtimeve që do të kryhen, numri i punonjësve që do të punësohen pritet të shkojë 12 mijë perona në fazën finale.
“Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha low cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air, Easy Jet, Rayan Air, Vueling dhe Pergasus. Nga studimet paraprake, parashikohet që ky aeroport pritet të ketë një lëvizje prej 300 mijë pasagjerësh në vit. Në rritje të ndjeshme në vitet pasuese. Synimi është që, përmes çmimeve të ulëta dhe çmimeve cilësore, ky aeroport të shërbejë si pikë referimi për lëvizjet rajonale veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Aeroporti i Kukësit pritet të ketë një zhvillim për zonën e Kukësit”, tha Balluku./Burimi: Monitor