Kina përgjysmon tarifat ndaj SHBA-ve

Kina ka përgjysmuar tarifat mbi importet amerikane në një vlerë prej 75 miliardë dollarë, pasi dy ekonomitë më të mëdha në botë vazhdojnë të tërhiqen prapa nga lufta tregtare që prej një viti ka dëmtuar ekonomitë e të dyja vendeve dhe ndikuar në ngadalësimin e rritjes globale. Masa vjen pasi Kina po lufton me shpërthimin e Coronavirusit vdekjeprurës, sëmundja që ka vrarë deri tani 565 njerëz, kryesisht në Kinë dhe ka infektuar më shumë se 28,000 të tjerë në mbi 25 shtete.

Ulja e tarifave prek mallrat amerikane për të cilat Kina vendosi tarifa shtatorin e kaluar. Sipas Komisionit të Tarifave në Këshillit Shtetëror të Kinës, autoritetet do të vazhdojnë të aplikojnë një pjesë të mirë tarifash, megjithëse po punohet për përjashimet e ndryshme. Deklarata nga autoritetet theksonte se “Kina shpreson që të dy palët të respektojnë marrëveshjet bilaterale dhe të bëjnë një përpjekje për të zbatuar dispozitat përkatëse në mënyrë që të forcojnë besimin e tregut, të promovojnë marrëdhëniet tregtare dypalëshe dhe rritjen ekonomike globale.”

Sipas ekspertëve, njoftimi vjen si një mënyrë për të ndihmuar në forcimin e ndjenjës së tregut, veçanërisht në një kohë kur Kina po lufton me ndikimin ekonomik të shpërthimit të Coronavirusit, për shkak të të cilit ka pezulluar pa një datë fikse gjithë aktivitetin ekoomik. Të tjerët kanë paralajmëruar se shpërthimi i Coronavirusit do të ndikojë jo vetëm në rritjen ekonomike të Kinës këtë vit, por do të ketë ndikime të mëdha edhe për ekonominë globale.

Që pas shpërthimit të virusit, Pekini ndërmori hapin e madh për vendosjen e qyteteve në qendra të mëdha e të mbyllura kurimi, si dhe qeveria gjithashtu zgjati pushimet e Vitit të Ri, duke bërë që fabrikat të mbyllen dhe punëtorët të qëndrojnë në shtëpi. Edhe konsumi ka rënë masivisht, pasi miliona njerëz janë tërhequr dhe shmangin hapësirat publike ku mund të blejnë ushqimet ose gjithçka që iu duhet./Atlas

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *