Pronësia e shtëpive është gabimi më i madh i politikës ekonomike të Perëndimit
Është një obsesion që kërcënon rritjen, drejtësinë dhe besimin publik në kapitalizëm. Ekonomitë mund të pësojnë si goditje të papritura, ashtu edhe sëmundje kronike, shkruan The Economist. Tregjet e shtëpive në botën e pasur janë përballur me të dyja llojet e problemeve. Kredi me probleme me vlerë një trilion dollarë fundosën sistemin financiar në 2007-2008.
Po aq i rrezikshëm është mosfunksionimi që sistemi i strehimit ka krijuar përgjatë dekadave: qytete pa kurrfarë hapësire për t’u zhvilluar më tej, pronarë të moshuar që qëndrojnë në shtëpi gjysmë të zbrazura dhe një gjeneratë në rritje e të rinjve që nuk kanë mundësi të marrin shtëpi me qira dhe aq më pak ta blejnë një të tillë, duke menduar se kapitalizmi i ka braktisur ata.
Ashtu siç shpjegohet edhe në këtë raport të “The Economist”, pjesa më e madhe e fajit bie mbi politikat jo të drejta të strehimit, të cilat datojnë nga Lufta e Dytë Botërore. Ato kanë shkaktuar një prej dështimeve ekonomike afatgjata më të rënda në botë. Nevojitet urgjentisht një arkitekturë e re. Në themel të këtij dështimi është mungesa e ndërtimeve, veçanërisht afër qyteteve të lulëzuara, ku numri i vendeve të punës është i lartë. Nga Sidnei në Sidenham (Londër), rregullore të komplikuara dhe mbi të gjitha aspak të drejta vazhdojnë të mbrojnë një elitë të pronarëve të shtëpive ekzistuese duke ndaluar zhvilluesit të ndërtojnë qiellgërvishtëse të reja dhe ndërtesa të përshtatshme për ekonominë moderne.
Qiratë dhe çmimet e larta të shtëpive ua vështirësojnë akoma më shumë punën punonjësve të ndryshëm për të shkuar pranë qyteteve apo zonave ku mund të gjejnë lehtësisht një punë, gjë që rrjedhimisht ndikon edhe në ngadalësimin e rritjes. Kostot e përgjithshme të strehimit në Amerikë përbëjnë 11% të PBB-së, nga 8% gjatë viteve ‘70. Nëse vetëm tre qytete të mëdha – Nju Jork, San Francisko dhe San Jose do të përdorin rregulla të planifikimit të relaksuar, PBB-ja e Amerikës do të ishte 4% më e lartë. Dhe kjo është një kosto tmerrësisht e lartë. Përpos faktit se tregjet e strehimit nuk janë aspak efikase, ato janë edhe thellësisht të padrejta. Gjatë një periudhe dekadash të njëpasnjëshme, rënia e normave të interesit ka ndikuar në furnizimin e pamjaftueshëm, duke çuar në një rritje të çmimeve.
Në Amerikë, kjo tendencë është vënë re kryesisht në qytetet e lulëzuara, ndërsa në shtete të tjera të pasura, çmimet mesatare kombëtare kanë shënuar rritje, veçanërisht në vendet anglishtfolëse. Por kriza financiare nuk e shkatërroi këtë tendencë. Në Britani, çmimet e shtëpive të rregulluara nga inflacioni janë afërsisht të barabarta me pikun e tyre para krizës, ndërsa pagat reale nuk janë më të larta. Në Australi, pavarësisht rënieve të fundit, çmimet mbeten 20% më të larta se në vitin 2008. Në Kanada, ato janë rritur me 50%.
Kostoja rritëse e strehimit ka krijuar shumë pabarazi dhe ka ndezur si ndasitë ndërmjet gjeneratave të ndryshme, ashtu edhe ato gjeografike. Në vitet ‘90, brezi i 35-vjeçarëve zotëronte një të tretën e pasurive të patundshme të Amerikës për nga vlera. Në vitin 2019, gjenerata e re e të rinjve të mijëveçarit1, me moshë mesatare rreth 31 vjeç, zotëronte vetëm 4% të këtij tregu.
Mendimi i të rinjve se për ta është e pamundur blerja e një shtëpie, me përjashtim të rasteve kur ata kanë prindër të pasur, ndihmon shumë për të kuptuar lëvizjen e tyre drejt “socializmit mijëvjeçar”. Dhe pronarët e shtëpive të të gjitha moshave që janë bllokuar në vendet në rënie e kundërshtojnë fitimin tejet të lartë të gjeneruar nga qiratë apo blerja e shtëpive në qytete më të zhvilluara. Në Britani, zonat me tregjet e banesave në stanjacion kishte më shumë gjasa që të votonin për Brexit në vitin 2016, edhe pasi u llogaritën ndryshime të konsiderueshme në të ardhura dhe demografi. Ju mund të mendoni se frika dhe zilia në drejtim të strehimit janë pjesë e natyrës njerëzore.
Në fakt, patologjia e pronës i ka rrënjët në një zhvendosje të politikës publike në vitet 1950 drejt promovimit të pronësisë së shtëpive. Që atëherë, qeveritë kanë përdorur subvencione, reduktime të taksave dhe shitje të ndërtesave publike për të inkurajuar pronësinë e banesave ndaj marrjes së tyre me qira. Politikanët e krahut të djathtë e kanë parë pronësinë e shtëpive si një mënyrë për të fituar vota duke inkurajuar qytetarinë e përgjegjshme. Ndërsa ata të krahut të majtë e shohin strehimin si një mënyrë për rishpërndarje dhe për t’u krijuar mundësinë familjeve të varfra për të vënë pasuri.
Por, këto argumente janë të mbivlerësuara. Është e vështirë të vërtetohet nëse pronësia i bën qytetarët më të mirë, sepse edhe të pasurit e sa më shumë pronësive në zotërim, ka padyshim kosto të mëdha. Ata që zotërojnë shtëpi shpesh shndërrohen në persona që cilësohen si “nimby”2, të cilët i rezistojnë zhvillimit dhe e kundërshtojnë atë, në përpjekje për të mbrojtur investimet e tyre.
Të dhënat e fundit të siguruara nga “The Economist” sugjerojnë se numri i shtëpive të reja të ndërtuara për person në botën e pasur ka rënë me gati 50 për qind, që nga vitet 1960. Për shkak se furnizimi është i kufizuar dhe sistemi është drejtuar drejt pronësisë, shumica e njerëzve mendojnë se rrezikojnë të mbeten pas nëse vendosin të marrin një shtëpi me qira. Si rezultat, politikanët përqendrohen në subvencionimin e blerësve margjinalë, siç ka bërë Britania gjatë viteve të fundit.
Kjo kanalizon para në klasat e mesme dhe rrit më tej çmimet, duke rritur borxhet e marra në formën e kredive, gjë e cila rrjedhimisht rrit mundësitë për zhvillimin e krizave të mundshme. Por, nuk ka se përse të ndodhë në këtë mënyrë. Jo çdo qytet është detyrimisht i prekur nga “mallkimi i sistemit të strehimit”. Në Tokio ndërmjet viteve 2013 dhe 2017 u ndërtuan mbi 728 000 banesa, më shumë sesa Anglia, por pa ndikuar absolutisht në shkatërrimin e cilësisë së jetës.
Numri i të pastrehëve ka rënë me 80% gjatë 20 viteve të fundit. Zvicra u jep qeverive lokale stimuj fiskalë për të lejuar ndërtimin e banesave të reja, fakt ky që e justifikon se përse ky shtet ka pothuajse dy herë më shumë ndërtime banesash për person sesa Amerika. Shteti i Zelandës së Re përfiton shumë nga fitmet tejet të larta të pronarëve të shtëpive, duke ia “vjelë” ato nëpërmjet vendosjes së taksave të tokës dhe pronave bazuar në vlerësimet që përditësohen shumë shpesh.
Por më e rëndësishmja është se, në disa vende, edhe pse niveli i pronësive të shtëpive është i ulët, askush nuk interesohet të bëjë diçka sa më parë në këtë drejtim. Ai është vetëm 50% në Gjermani, e cila ka një sektor që inkurajon qiratë afatgjata dhe siguron të drejta të qarta dhe të zbatueshme për qiramarrësit. Pavarësisht rritjes së fortë të kohëve të fundit në disa qytete, çmimet reale të shtëpive në Gjermani, mesatarisht, nuk janë më të larta se sa ato të vitit 1980.
Menaxhimi i strehimit
Shumë pak qeveri të ditëve të sotme, mund të arrijnë të injorojnë zemërimin për pamundësinë për të blerë një shtëpi dhe mbi të gjitha me padrejtësinë që po luhet ndërmjet brezave. Disa i janë përgjigjur kësaj situate me ide të tilla si kontrollet e qirave apo edhe rritja e subvencioneve hipotekore. Megjithatë, nuk mund të thuhet se nuk ka pasur përparim.
Britania ka ndaluar vendosjen e tarifave të larta për shtëpitë me qira dhe ka ndaluar rritjen e kredive me probleme. Lëvizja e njohur si “Yimby”, (“Ju mund të ndërtoni në kopshtin tim”), ka rezultuar shumë e suksesshme në drejtim të promovimit të ndërtimit. Ata që duan mbështetje popullore për tregjet e lira, duhet të shpresojnë që lëvizje të tilla të kenë sukses. Politikat aspak të drejta të strehimit e kanë bërë këtë sistem të pasigurt dhe aspak efikas. Ndoshta ka ardhur koha për të shembur këtë “sistem të kalbur” dhe për të krijuar një sistem të ri politikash strehimi, të cilat do të funksionojnë në mënyrën e tyre më të mirë./Monitor/