Vetëm në Kantonin e Cyrihut në Zvicër jetojnë 18 mijë kosovarë

Që nga themelimi i shtetit të Kosovës, shtetasit kosovarë, me 18,000 veta, janë rritur duke u bërë grupi i katërt më i madh i popullsisë së huaj në kanton. Në këmbim me këtë, ka rënë ndjeshëm numri i serbëve

20 vjet më parë, Zvicra pati rënë dakord për lëvizjen e lirë të njerëzve me Bashkimin Evropian. Marëveshja në fakt ka hyrë në fuqi në vitin 2002. Që atëherë, përbërja demografike e kantonit të Cyrihut ka ndryshuar: popullsia është rritur, “kryesisht për shkak të imigrimit të shtetasve të huaj”, siç ka vënë në dukje Zyra e Statistikave në një studim të bërë në vitin 2015.

Por vendet e origjinës së këtij emigracioni në rritje nuk ishin gjithmonë të njëjta, transmeton albinfo.ch. Në fillim, numri i gjermanëve qe rritur, nga 30,000 sa ishiun në vitin 2000, në 89,000 sish në vitin 2018. Në vitin 2007, ata madje tejkaluan italianët, si popullsia më e madhe e huaj.

Sidoqoftë, në vitet e fundit numri i gjermanëve ka ngecur. Në vitin 2019, sipas statistikave federale për të huajt, kishte edhe më pak gjermanë në kantonin e Cyrihut sesa një vit më parë. Hans-Peter Bucher nga zyra kantonale e statistikave përmend uljen e natyralizimeve dhe të imigrimeve nga Gjermania si arsye.

Në të kundërt, numri i italianëve është rritur përsëri pas një rënie njëvjeçare nga viti 2010: Në atë kohë kantoni i Cyrihut kishte ende 49,000 qytetarë italianë; sot ka 56,000, të njëjtin numër si në fillimin e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Ajo që është me interes për lexuesit tanë, është lëvizja e numrit të shtetasve të Kosovës në përbërjen e përgjithshme të popullatës në Kantonin e Cyrihut. Që nga themelimi i shtetit të Kosovës, shtetasit kosovarë, me 18,000 veta, janë rritur duke u bërë grupi i katërt më i madh i popullsisë së huaj në kanton, përcjell albinfo.ch. Në këmbim me këtë, ka rënë ndjeshëm numri i serbëve, gjë që, sipas Bucher, ka të bëjë me shkëputjen e Kosovës, por edhe me natyralizimet. Për më tepër, Serbia dhe Kosova nuk janë anëtare të BE-së, që do të thotë se kuotat për të huajt nga vendet e treta kufizojnë imigracionin, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, pas ngritjes së fillimit, numri i kosovarëve në kantonin e Cyrihut ka ngecur që nga viti 2015.

Sipas raportit, është gjithashtu interesante edhe shpërndarja gjeografike e popullsisë së huaj në kanton: kjo popullatë ka tendencë të jetojë në qytete ose komunitete aglomerative. Përqindjet më të larta të të huajve, rreth 45 për qind i kanë aglomeracionet si: Schlieren, Dietikon dhe Opfikon, ndërsa më të ultat, prej 6 deri në 7 për qind, fshatrat si Truttikon, Oberstammheim dhe Brütten.

Ku flitet shqipja mbi mesataren?

Dy studime të publikuara nga Zyra e Statistikave në vitin 2019 dhe 2018 tregojnë gjithashtu: Ndërkohë që qytetarët e Britanisë së Madhe jetojnë kryesisht në qytetin e Cyrihut dhe në brigjet e Liqenit të Cyrihut, kosovarët gjenden më së shumti në komunitetet e aglomeracionit verior (“paralagjet” dhe vendbanimet mikste jashtë qyteteve), si dhe në Winterthur dhe në pjesë të Cyrih Oberland. Në Glatt, Furt dhe Limmattal, shqipja flitet mbi mesataren – si dhe serbo-kroatisht dhe gjuha portugeze.

Gjermanët dhe austriakët kryesisht vendosen në zonat ku jeton gjithashtu popullata anglishtfolëse, përcjell albinfo.ch. Sidoqoftë, zona rreth liqenit është më pak e rëndësishme për ta, në vend të kësaj, rrethet e qytetit të Cyrihut po fitojnë më shumë rëndësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *