Shtrenjtimi i ushqimeve dhe qirave rrisin inflacionin në janar

Gjatë muajit janar, çmimet e produkteve të shportës bazë të mallrave u rritën me 1.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, ndonëse ritmet e shtrenjtimit të çmimeve u përshpejtuan në raport me dhjetorin, kur inflacioni rezultoi rreth 1.1%, në nivelin më të ulët në katër vjet, inflacioni në janar vijon të mbetet i ulët, në një tregues të konsumit të dobët.

INSTAT raportoi Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Janar 2020 është 1,5 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Janar 2020, krahasuar me Dhjetor 2019, është 1,9 %.

Rritja e çmimeve në janar ka ardhur nga ushqimet, të cilat u shtrenjtuan pasi mbaroi prodhimi vendas dhe e qirave, pasi tërmeti i 26 nëntorit nxori shumë familje të pastreha, që iu drejtuan tregut të qirave.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit, sipas INSTAT:

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,92 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,31 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar +0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Janar 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4 %, pasuar nga grupet “Argëtim e kulturë” me 2,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti” me 1,5 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,5 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” u ulën me 0,6 % secili, pasuar nga “Komunikimi” me 0,3 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 18,2 %, pasuar nga nëngrupet “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,3 %, “peshk” me 2,5 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,0 %. Nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” u ul me 0,9 %.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Dhjetor 2019, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,4 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,3 %, “Pije alkolike dhe duhan” me 0,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,5 %, pasuar nga “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me 0,2 % secili, etj./Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *