Kina është eksportuesi më i madh në botë i produkteve të ndërmjetme. Nga pikëpamja ekonomike ato janë përbërës të destinuar për t’u përdorur më tej në zinxhirët e furnizimit në të gjithë botën, për të prodhuar mallra të tjera përfundimtare. Sipas të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim OECD, si dhe të dhënat ekonomike të Bloomberg rezulton se, në 2015 më shumë se 20% e të gjitha eksporteve për lëndë të para ose produkte të ndërmjetme erdhën nga Kina. Me kalimin e kohës kjo shifër sot është rritur edhe më tej dhe Kina cilësohet padyshim si motori i ekonomisë globale.
Megjithatë përhapja e Coronavirusit vdekjeprurës dhe lufta tashmë globale kundër tij, ka bërë që për momentin aktiviteti ekonomik i vendit të pezullohet ose të ndalojë. Për pasojë, zinxhirët e furnizmit kudo nëpër botë, në shtetet që importojnë produkte kineze, të përballen me vonesa dhe rrezik të shtuar.
Ndaj sa më gjatë që Coronavirusi të kufizojë prodhimin industrial të Kinës, aq më i madh është rreziku që furnizimet nuk do kryhen në kohë dhe pastaj procesi zinxhir do vonojë edhe më tej aktivitetin ekonomik, duke dobësuar jo pak sektorët. Bloomberg ka ndërmarrë një analizë rreth ndikimit të dobësimit të ekonomisë kineze, të cilën e ka ilustruar gjithashtu edhe me një grafik konkret. Prej analizës rezulton se për vendet në zinxhirin e furnizimit aziatik, ekspozimi është më i madh. Të dhënat tregojnë se në 2015, Kamboxhia, Vietnami, Japonia dhe Koreja e Jugut importuan mbi 40% të të gjitha produkteve finale ose të ndërmjetje vetëm nga Kina dhe kjo është një shifër relativisht shumë e lartë.
Nga ana tjetër rreziku i dobësimit të ekonomisë kineze dhe pasojat negative që rrjedhin prej tij janë gjithashtu shumë të larta në SHBA, një nga partnerët kryesorë tregtarë. Aq më tepër kjo në një kohë kur Kina sapo kishte firmosur edhe fazën e parë të marrëveshjes tregtare, ku zotohej të importonte nga SHBA-të mallra me vlera kolosale, që sipas ekspertëve ajo nuk i përballonte dot t’i blinte edhe në ditët më të mira të ekonomisë, jo më në kushtet aktuale pas Coronavirusit në përhapje masive tashmë./Atlas/